Rusia ndalon bombardimet, lejon evakuimin e civilëve nga Aleppo

08/12/2016 00:00

Më në fund pak paqe në Siri. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se ushtria siriane ka pezulluar operacionet luftarake në Aleppon lindore. Kjo ka lejuar evakuimin e civilëve të bllokuar në zonën e betejës.

Por, edhe pse luftimet kanë ndaluar për pak, kreu i Shërbimit britanik të Spiunazhit, Alex Younger, në fjalimin e tij të parë si shef ekzekutiv i dha një shuplakë të fortë Rusisë, për rolin që po luan në tragjedinë siriane. Ai tha se rreziku për Perëndimin është i madh.

“Në Aleppo, Rusia dhe Siria po kërkojnë të shkretojnë vendin dhe më pas ta quajnë se po sjellin paqe. Tragjedia të thyen zemrën”, tha Younger.

Sipas kreut të shërbimit sekret, brutaliteti i luftimeve atje po krijon një gjeneratë të re terroristësh, të cilët do të përbëjnë kërcënim për komunitetin ndërkombëtar. Younger paralajmëron se kaosi i krijuar në Lindjen e Mesme i hap rrugë terroristëve të vijnë drejt Perëndimit.

“ISIS është ekstremisht i organizuar dhe po planifikon mënyra sesi të sulmojë jo vetëm Britaninë, por edhe aleatët, ndoshta edhe pa lëvizur nga Siria ata i kanë mekanizmat. Nëqoftëse Siria dhe aleati i saj, Rusia, nuk do të ndryshojnë kurs, ata mund të krijojnë një rrezik të pashembullt”, tha Alex Younger.

Qëndrimet e Britanisë dhe të Europës mbi këtë çështje janë shumë ndryshe nga pikëpamjet e Donald Trumpit dhe këshilltarëve të tij, të cilët kanë shprehur admirim për veprimet e Vladimir Putinit në Siri dhe e shohin Rusinë si një aleate të ardhshme kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste.

Top Channel