Marine Le Pen: Jo arsim falas për të huajt

08/12/2016 00:00

Liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen ka kërkuar që t’i jepet fund edukimit falas për fëmijët e huaj.

Në një fjalim në Paris, kandidatja e frontit nacional në zgjedhjet presidenciale të 2017-ës, tha se nuk kishte asgjë kundër të huajve.

“Unë u them atyre; nëse vini në vendin tonë, mos prisni që të kujdesemi për ju dhe as që fëmijët tuaj të arsimohen pa paguar. Nuk ka më lojëra”, tha ajo. Le Pen pritet të jetë një nga dy kandidatët që do të arrijnë në raundin e dytë dhe final të zgjedhjeve të majit të ardhshëm. Sondazhet e fundit të opinionit publik sugjerojnë se ajo po ecën krah për krah me kandidatin e qendrës së djathtë, Francois Fillon, që u përzgjodh në primaret kombëtare në fund të nëntorit.

Socialistët francezë ndërkohë, do t’i mbajnë zgjedhjet e tyre të brendshme, muajin e ardhshëm. Sidoqoftë, dy të tretat e votuesve do të zgjidhnin Fillon në vend të Le Pen, në raundin final. Goditja e emigracionit ka qenë prej kohësh shtyllë kryesore e politikës së Frontit Nacional dhe Le Pen ka bërë fushatë për reduktimin e emigracionit të ligjshëm në mënyrë dramatike deri në 10 mijë në vit si edhe për të ndaluar bashkimet familjare.

Edukimi ka qenë po ashtu një temë qendrore e lideres së të djathtës ekstreme. Në 2014 ajo kishte deklaruar se ishte kundër ofrimit të vakteve që nuk mbanin mish derri në shkolla, për myslimanët dhe hebrenjtë.

Sipas një ligji francez që daton që nga 1881, arsimimi elementar pa pagesë është një e drejtë themelore për të gjithë fëmijët. E drejta për arsimim është po ashtu një nga të pikat themelore të konventës evropiane për të drejtat e njeriut.

Që kur mori kryesimin e Frontit Nacional, nga babai i saj, thuajse gjashtë vjet më parë, Marine Le Pen është munduar në fakt të detoksifikojë imazhin ekstremist të partisë dhe të tërheqë vëmendjen e zgjedhësve.

Fushata e saj presidenciale, nuk ka ndërkohë asnjë gjurmë të emrit të partisë dhe ka si simbol një trëndafil blu, imazh ky i huazuar nga e majta dhe e djathta. Por, ajo duhet ti përgjigjet zgjedhjes së Fijon si kandidat, duke u prezantuar me politika të ndryshme.

Në një intervistë të dhënë të mërkurën ajo tha se do ta unifikonte Francën brenda pesë vitesh. “Unë do të zgjidh problemet në shkolla, në diplomacinë franceze dhe në ekonomi”, tha ajo, duke shtuar edhe se do të kërkonte një referendum për anëtarësinë e Francës në Bashkimin Europian.

Top Channel