Beteja për Aleppon, evakuohen civilët “e harruar”

08/12/2016 00:00

“Kryqi i Kuq” ka njoftuar evakuimin e 148 civilëve, shumica e të cilëve persona me aftësi të kufizuar dhe të moshuar, të gjetur në një pjesë të qytetit sirian Aleppo, të rënë së fundi në duart e ushtrisë së presidentit Assad.

Ata ishin bllokuar prej ditësh brenda një ish-azili në pjesën e kontrolluar prej rebelëve të qytetit të vjetër, për shkak të luftimeve tepër të ashpra që zhvilloheshin përreth tyre. Shumë prej tyre kishin dëmtime, ndërsa të tjerë nuk mundeshin të lëviznin për shkaqe të ndryshme. 11 të tjerë kishin humbur jetën përpara se “Kryqi i Kuq” të mbërrinte, viktima të sulmeve apo të mungesës së ilaçeve.

Gjatë 3 javëve të fundit, forcat qeveritare kanë rimarrë kontrollin e thuajse 75 për qind të Aleppos lindore, zonë që ishte nën kontrollin e rebelëve prej afro 4 vitesh. Qindra persona janë vrarë, ndërsa dhjetëra mijëra janë zhvendosur prej luftimeve.

Ndërkohë, më shumë se 100 mijë civilë thuhet se mund të jenë nën rrethim në zona të tjera ende nën kontrollin e rebelëve, aty ku furnizimet me ushqime kanë mbaruar dhe nuk gjenden më spitale funksionale.

Evakuimi i azilit “Dar al-Safaa” u krye falë një operacioni të përbashkët të “Gjysmëhënës së Kuqe siriano-arabe” (SARC) dhe “Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq” (ICRC), të kryer mesnatën e së mërkurës, vetëm pak orë pasi trupat ushtarake morën kontrollin e plotë të distriktit Meshatyeh të qytetit të vjetër të Aleppos.

Ish-azili, roli i të cilit u zgjerua jashtëzakonisht për shkak të konfliktit, ka shërbyer si qendër akomodimi për pacientët me nevoja speciale të shëndetit mendor, apo ata me aftësi të kufizuara. Mes të tjerëve, aty strehoheshin edhe 36 civilë të tjerë, disa të plagosur.

Mes të shpëtuarve, 118 pacientë u dërguan në 3 spitale të Aleppos perëndimore të kontrolluar nga qeveria e Assadit, ndërsa 30 burra, gra e fëmijë u çuan në vendstrehime të tjera, sërish në pjesën perëndimore të qytetit. 6 foshnja dhe fëmijë në moshë shumë të vogël ishin gjithashtu mes të evakuuarve.

Top Channel