Tjetër gjeneral në stafin e Trump, John Kelly sekretar i Brendshëm

07/12/2016 00:00

Donald Trump ka zgjedhur personin që do të drejtojë Ministrinë e Brendshme të Shteteve të Bashkuara, e njohur ndryshe si Homeland Security.

Sipas CBS, që citon burime pranë ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur, bëhet fjalë për gjeneralin e marinsave John Kelly.

Dy ditë më parë, Trump emëroi Ben Carson si sekretar të Strehimit dhe Zhvillimit Urban. Vetë miliarderi u shpreh i kënaqur që në ekipin e tij do të ketë një mendje të shkëlqyer dhe të predispozuar për të ndihmuar komunitetet në nevojë. Por, atë që në vazhdim ai do ta ketë aleat, deri dje ishte një rival politik.

Ndërsa në fillim të muajit, Trump shpalli emrin e ri të sekretarit të Mbrojtjes. Ai është një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të Shteteve të Bashkuara, gjenerali James Mattis, ish-marins, i cili ka shërbyer  në misione në Irak dhe Afganistan.

Gjenerali njihet si një kritik i hapur i politikave të ndjekura në Lindjen e Mesme gjatë administratës “Obama”, veçanërisht ndaj kursit që Pentagoni ka ndjekur në Iran. Ai e ka cilësuar Iranin si “kërcënimin e vetëm për stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme”.

Ndërkohë, Betsy DeVos është zgjedhja e Trump për sekretare Arsimi. I veçantë është fakti se Betsy është vajza e miliarderit Richard DeVos dhe pasuria e saj llogaritet nga “Forbes” në 5.1 miliardë dollarë, më e pasur sesa vetë Trump.

Top Channel