Tërmet në Indonezi, dhjetëra viktima e të plagosur

07/12/2016 08:10

Një tërmet nënujor në afërsi të provincës veriore Aceh në Indonezi i kushtoi jetën të paktën 97 personave. Tërmeti prej 6,5 ballësh u regjistrua përballë brigjeve të ishullit Sumatra, ku dhjetëra ndërtesa u shembën dhe shumë njerëz dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.

Autoritetet indoneziane, ndërsa paralajmëruan se bilanci mund të rritet, gjithashtu thanë se nuk ka rrezik për tsunami. Në vitin 2004, provinca Ahec u dërrmua nga një tsunam që i kushtoi jetën më shumë se 160.000 njerëzve vetëm në Indonezi. Autoritetet indoneziane thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti vazhdojnë me ritëm të lartë.

Mediat lokale ndërkohë raportojnë se spitalet janë mbushur plot me të plagosur, që janë me qindra. Zyrtarë lokalë kërkuan ndihmën e qeverisë qëndrore, pasi me njerëzit dhe mjetet që kanë në dispozicion nuk munden që të përballojnë krizën.

Mësohet se shumë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre pas tërmetit dhe nuk guxojnë që të kthehen, pasi sizma e fuqishme është pasuar nga disa lëkundje dytësore.

Tërmetet nuk janë asgjë e re në Indonezi, pasi arkipelagu gjendet mbi të ashtuquajtuën unaza e zjarrtë, një vijë tërmetesh dhe shpërthimesh vullkanike të shpeshta në skaj të Oqeanit Paqësor.

Top Channel