Itali, kalon ligji për “call center”, miratohet bashkë me buxhetin

07/12/2016 00:00

Manovra ekonomike për vitin e ardhshëm, ose ndryshe ligji për buxhetin 2017 që Senati italian aprovoi sot me 166 vota pro, 70 kundër dhe 1 abstenim, përmban edhe normat e reja mbi delokalizimin e shërbimeve “call center”.

Në mënyrë të veçantë parashikohet ashpërsimi i kushteve për ndërmarrjet italiane që delokalizojnë këto shërbime në vendet jo evropiane dhe janë rritur gjobat për ata që shkelin rregullat.

Kush transferon firmën nga Italia drejt një vendi jo evropian duhet jo vetëm të komunikojë 30 ditë më parë këtë vendim në Ispektoriatin dhe Ministrinë e Punës, por nuk do të mund të përfitojë nga asnjë lehtësim fiskal dhe do të hasë vështirësi për të marrë pjesë në tendera publikë.

Që kur norma u aprovua fillimisht nga Dhoma e Deputetëve pikëpyetja e sindikatave ishte nëse këto masa do të arrijnë të kthejnë punën e call center në Itali, apo thjesht do ta çojnë atë në vende evropiane ku krahu i punës kushton më pak?

Ose, me fjalë të tjera, mos bëhet fjalë thjesht për një spostim të tyre nga Shqipëria, ku në këtë sektor janë të punësuar rreth 25 mijë persona, drejt Rumanisë apo ndonjë vendi tjetër anëtar te Bashkimit Europian?

Top Channel