Britani, plani për “Brexit”-in publikohet përpara aktivizimit të nenit 50

07/12/2016 00:00

Deputetët britanikë do të votojnë për herë të parë marsin e ardhshëm, për planin e qeverisë mbi “Brexit”-in. Kryeministrja Theresa May ra dakord që të plublikojë planin e saj për largimin nga BE-ja, për të shmangur një rebelim të mundshëm të konservatorëve dhe humbjen në dhomën e ulët të Parlamentit.

Qeveria britanike shpreson që kjo lëvizje të bindë deputetët, që të mbështesin axhendën e caktuar prej saj për të nisur procesin e largimit.

Laburistët, të cilët e hapën këtë debat, thanë se do të mbështesin axhendën, por duan që të shohin në detaje planet për “Brexit”-in. Zyrtarë të kësaj force politike thanë se duan që qeveria të shfaqë qëndrimin e saj, pa nisur bisedimet formale me BE-në.

Për këtë arsye, qeveria ra dakord që të përvijojë strategjinë e saj, me kushtin që deputetët të miratojnë afatet kohore të ekzekutivit për të përdorur nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili i hap rrugën largimit nga BE-ja.

Marrëveshja mes qeverisë dhe deputetëve shihet si një tërheqje e kryeministres May, e cila nuk donte që planet e saj për “Brexit” të shqyrtoheshin në detaje, para se ajo të ulej në tryezën e negociatave me partnerët europianë.

Megjithatë, analistë të ndryshëm thonë se marrëveshja është disi e paqartë, pasi nuk sqaron se deri në çfarë niveli, qeveria do të tregojë dejate të planeve të saj për “Brexit”-in.

Top Channel