Valls: Kandidoj për president

06/12/2016 00:00

“Unë do të kandidoj për presidencën e Francës”. Ashtu sikurse edhe pritej, kryeministri francez, Manuel Valls, deklaroi ambicien e tij politike për vitin e ardhshëm, por fillimisht ai duhet të marrë emërimin zyrtar nga Partia Socialiste pasi për herë të parë edhe Franca po ndjek modelin amerikan të zgjedhjeve.

“Kam fuqinë brenda meje për t’i shërbyer këtij vendi dhe kjo është përtej fjalëve, është bindja ime. Do të doja të jepja gjithçka për Francën që mua më ka dhënë aq shumë. Ministër, kryeministër, unë kam bërë detyrën time, ju më njihni që nuk kam kursyer asnjë përpjekje, por me energji dhe besnikëri jam përpjekur për të realizuar detyrën që më është besuar nga kreu i shtetit Francois Hollande”, deklaroi Valls.

Valls është një emër mjaft popullor në rrethin e Partisë Socialiste, ai përkrahet nga të gjitha moshat, individët apo bizneset të cilët e shohin si personin që ofron politikat e duhura për ta. Në një sondazh të kryer së fundmi, 54% e pjesëmarrësve e konsiderojnë Valls si favoritin socialist në primaret e janarit.

Ndërsa nga ana tjetër, rreth 80% u shprehën të kënaqur nga fakti që Francois Hollande nuk do rikandidojë për president. Nëse Manuel Valls del me sukses, ai do të përballet me Francois Fillon e Partisë Republikane dhe Marine Le Pen udhëheqësen e ekstremit të djathtë Fronti Nacional në zgjedhjet e pranverës së ardhshme.

Top Channel