Rouhani “kërcënon” Trumpin: Irani s’do ta lejojë të ndryshojë paktin bërthamor

06/12/2016 00:00

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani është shprehur gjatë kësaj të marte se nuk do ta lejojë presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të shfuqizojë marrëveshjen globale bërthamore, duke paralajmëruar për pasoja të papërcaktuara nëse Uashingtoni e tradhton atë pakt.

Gjatë fushatës presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se do të flakte tej paktin e Iranit me fuqitë e tjera botërore, sipas së cilës Teherani bie dakord të kufizojë programin e saj bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, duke e përshkruar atë si “marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë”.

“Trump dëshiron të bëjë shumë gjëra, por asnjëra prej veprimeve të tij nuk do të na prekë neve”, tha Rouhani në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Teheranit, të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. “Vërtet mendoni se ai mundet ta anulojë ‘JCPOA’-n (Planin gjithëpërfshirës të veprimeve të përbashkëta të marrëveshjes bërthamore)? Mendoni se ne dhe kombi ynë do ta lejojnë atë të bëjë diçka të tillë?”.

Analistët thonë se komentet e Trumpit mund të sinjalizojnë një linjë më të ashpër amerikane përkundrejt Iranit, një zhvillim që në anën tjetër mund të rikthejë në pushtet politikanët e linjës së ashpër në Teheran, përfshi këtu edhe rivalët e Rouhanit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei paralajmëroi se ishte kundër çdo ndryshimi të marrëveshjes bërthamore, pas komenteve të Trumpit në muajin qershor, ndërsa shtoi muajin e kaluar se një shtyrje e mundshme e regjimit të sanksioneve amerikane do të konsiderohej një shkelje e akordit.

Rouhani u bëri jehonë komenteve të Khameneit në lidhje me vendimin e muajit të kaluar të Kongresit amerikan, për të miratuar legjislacionin që zgjeron Aktin e Sanksioneve ndaj Iranit (ISA) për 10 vite, diçka që e bën më të lehtë për Uashingtonin që të rivendosë sanksione nëse Teherani shkel marrëveshjen bërthamore.

Presidenti amerikan Barack Obama duhet ende ta nënshkruajë atë legjislacion. “Nuk ka asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara janë armiku ynë”, tha Rouhani, i cili pritet të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale të Iranit në vitin 2017. “Nëse Obama nënshkruan ‘ISA’-n, por përdor edhe të drejtat për ndaluar implementimin e tij, kjo gjë do të shkelte sërish marrëveshjen bërthamore, ndaj dhe ne do të reagojmë”.

Rouhani tha se do të marrë pjesë në takimin e një komisioni ekspertësh të mërkurën, për të vendosur mbi reagimin e Iranit ndaj asaj që ai e quajti si shkelje nga ana e SHBA-ve.

Top Channel