Përmbytjet në Spanjë, mbyllen shkollat, 2 viktima

06/12/2016 00:00

Reshjet e dendura dhe erërat e forta që kanë përfshirë vijën bregdetare të Andaluzisë në jug të Spanjës sollën mbylljen e shkollave në Malaga dhe Cadiz të hënën.

Reshjet shkaktuan përmbytjen e banesave, bllokuan rrugët dhe vranë dy persona të dielën duke detyruar qeverinë spanjolle të lëshojë një paralajmërim për sigurinë publike.

Shërbimi meteorologjik foli për alarm të kuq të dielën, niveli më i lartë ky që paralajmëron një rrezik esktrem, por tani e ka ulur atë në portokalli, që sinjalizon një rrezik të konsiderueshëm.

Një 26-vjeçare u gjet e vdekur të dielën në qytezën e Esteponas në Malaga, siç bëri të ditur një zyrtar i qeverisë lokale. Një 36-vjeçar, punonjës i një kompanie elektrike, u vra pasi e mori me vete furia e ujit ndërsa po punonte në La Linea në Cadiz.

Dhjetëra vetë u evakuuan pas përmbytjes së lagjeve të tyre. Banorët e fshatit të Cartama-s të hënën u mobilizuan për të larguar ujin dhe baltën që kishte vërshuar në shtëpitë e tyre.

Shërbimet e emergjencës njoftuan se u ishin përgjigjur 1300 incidentëve në Andaluzi.

Top Channel