Populistët buzëqeshin, Italia tremb Bashkimin Europian

05/12/2016 08:40

Ashtu siç parashikohej nga sondazhet, që më në fund gjetën një rezultat, referendumi në Itali pasoi votën britanike për të dalë nga BE-ja, fitoren e Donald Trump në SHBA dhe ngritjen e Frontit Nacional në Francë, një valë populizmi që po pushton të paktën botën perëndimore, ku duket se njerëzit janë ngopur me elitat.

Pikërisht nga këto forca populiste erdhën përgëzimet e para për italianët. Marine le Pen, kreu i Frontit Nacional në Francë uroi me një mesazh në Twitter homologët e saj antiemigracion në Itali, Ligën Veriore.

“Italianët mohuan Bashkimin Evropian dhe Renzin. Duhet ta dëgjojmë këtë etje të komebeve për liri”, shkroi Le Pen.
 
Ndërsa populizmi rritet, referendumi italian ishte një tjetër goditje për Evropën. Matteo Renzi ishte kryeministri i vetëm që kishte mbetur në Evropë me një vizion për të ardhmen e BE-së. Angela Merkel është shumë e zënë duke menaxhuar kriza, ndërsa Franca po magjepset nga euroskeptikët e Frontit Nacional.

Por Renzi nuk është më dhe njeriu që premtoi rindezjen e ekonomisë italiane bëri të kundërtën. Italia tashmë përballet me kërcënimin e një krize bankare dhe trazirash politike, megjithëse jo të gjithë analistët e shohin të ardhmen kaq të zezë. Sidoqoftë, eurozona dhe BE-ja duhet të konsiderohen të paralajmëruara, ndërsa viti 2017 sjell zgjedhje në Francë, Gjermani dhe Holandë, ku gjithashtu janë parashikuar surpriza.

Top Channel