Heshtje nga Bana Alabed

05/12/2016 00:00

Një vajzë shtatëvjeçare, mesazhet e së cilës në Twitter nga Alepoja lindore tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare, është zhdukur nga rrjetet sociale në mësin e një ofensive të ushtrisë.

Duke shkruar mesazhe në anglisht, me ndihmën e së ëmës, Bana Alabed kishte sjellë një panoramë të jetës në qytet. Por, llogaria në Twitter ishte fshirë të dielën, ndërsa trupat avancuan në lindje të qytetit.

Postimi i fundit në Twitter, i shkruar nga e ëma, thoshte: Ne jemi të sigurtë se ushtria po arrin te ne. Do të dëgjohemi një herë tjetër, e dashur botë. Mirupafshim!

Alepo, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, ka qenë i ndarë në dysh gjatë konfliktit të hershëm në vend. Bana jetonte në Alepon lindore, që kontrollohet nga rebelët dhe që është bombarduar pa pushim nga ushtria. Kjo e fundit ka avancuar më në brendësi të zonës orët e fundit, pas një fushate të ashpër bombardimi.

Llogaria në Twitter e vajzës, @alabedbana, ka tërhequr më shumë se 100 mijë ndjekës. Nga kjo llogari postonin mesazhe si Bana, ashtu dhe e ëma, duke hedhur dritë mbi vuajtjet e civilëve të bllokuar në Alepon lindore.

Në një bisedë me BBC-në në tetor, Fatemah, e ëma e Banës, tha se e bija donte që bota të dëgjonte zërin e tyre. “Sot ne nuk kemi më shtëpi. Ajo u bombardua dhe ne e gjetëm veten në rrënoja. Pashë vdekje dhe pothuajse vdiqa”, thuhej në një postim në Twitter, në nëntor.

Top Channel