Tërheqja e Hollande, socialistët kërkojnë kandidimin e kryeministrit Valls

02/12/2016 00:00

Lajmërimi dramatik i François Hollande, se nuk do të garojë për një mandat të dytë presidencial, i hap rrugën kryeministrit Manuel Valls që të kandidojë.

Pritet gjerësisht që Valls të hedhë dorezën e sfidës, e mbase edhe të dorëhiqet nga posti i kryeministrit, në mënyrë që të bëjë fushatë për parapraket e socialistëve që zhvillohen në fund të janarit.

Mediet franceze raportojnë se, gjatë ditëve të fundit, Manuel Valls ka ushtruar mjaft presion ndaj presidentit aspak popullor që të heqë dorë nga ëndrra e tij e rizgjedhjes. Megjithatë, gjatë një vizite në qytetin Nancy, Valls lavdëroi presidentin Hollande dhe tha se ai gëzonte respektin e tij.

Prej muajsh, kryeministri ka sugjeruar se Partia Socialiste e ndarë keqazi mund të rrëzojë parashikimet negative se nuk ka mundësi që të arrijë raundin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale të pranverës së ardhshme.

Vota presidenciale në Francë bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ndaj dhe nuk ka asnjë arsye për Valls që të mos garojë. Një sondazh, i kryer pak orë pasi Hollande tha se nuk do të garojë sërish, tregon se Balls do ta fitonte fare lehtë garën ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Arnaud Montebourg, një mbështetës i ekstremit të majtë.

Megjithatë, deri në afatin përfundimtar të 15 dhjetorit mund të ketë rivalë të tjerë në garën socialiste, dhe kandidatura e pritshme “Valls” mund të ketë konkurrencë të fortë.

Top Channel