Piloti artist shkruan “Hello” në qiell

02/12/2016 00:00

Një pilot i paidentifikuar, por i njohur për mesazhet që lë në qiell për radarët, arriti që të kompletojë projektin e tij më ambicioz.

Me avionin e tij “Robin DR400”, piloti misterioz përshkoi një kurs që, nëse vijëzohet, shfaq fjalën “Hello”, përshëndetjen e famshme angleze.

Suksesi më i fundit i këtij piloti u publikua nga faqja e internetit “Flightradar24”, e cila gjurmon fluturimet globale dhe u jep informacione në kohë reale njerëzve për trafikun ajror në botë.

Dhe sipas kësaj faqeje, e cila ka përvijuar në mënyrë elektronike udhëtimin prej 37 minutash të pilotit artist, këtë herë ai vendosi të përshëndeste këdo që mund të ishte duke parë.

Fluturimi dhe përshëndetja që ai solli u kryen mbi Gjermani, mbi rajonin e Niedersachsen, por nuk dihet nëse piloti është gjerman. Kohë më parë, i njëjti pilot vizatoi një zemër dhe një avion në qiell.

Kolegu i tij më i aftërt për nga zotësia është një tjetër pilot i paidentifikuar në Kaliforni, i cili njihet si “djali i luleve”, pasi kurset që kryen kanë pikërisht këtë formë.

Top Channel