Ortodoksët festojnë në Aleppo

02/12/2016 00:00

Ndërsa sulmet vijojnë intensivisht, janë publikuar pamje që flasin për pak shpresë në qytetin e dytë më të madh të Sirisë të shkatërruar nga lufta.

Banorët e qytetit të Aleppos janë munduar për pak orë të harrojnë frikën dhe problemet e tyre. Besimtarët ortodoksë të Sirisë festuan ditën e Shën Barbarës me festë ku nuk mungoi muzika apo ushqimi i mirë.

Ndërsa pjesa lindore e Aleppos përballet me një të ardhme shumë herë më të pasigurt, ana perëndimore e qytetit, është disi më e qëndrueshme. Dalal Arouseh, pjesëmarrëse në këtë event, tha se nuk e kishte organizuar pa qëllim festën.

“Njerëzit janë lodhur nga lufta dhe armët. Qëllimi ynë është që të bëjmë njerëzit pak më të lumtur dhe të harrojnë problemet. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur ta zhvillojmë këtë  aktivitet”, tha një prej organizatorëve.

Një tjetër banore,  Christine, thotë se ato pak momente gëzimi janë shumë të nevojshme për të ndihmuar njerëzit që përballen me një luftë të tillë shkatërruese.

“Frika është e pranishme në çdo moment në Aleppo. Ne jemi të frikësuar kudo që shkojmë, por ky është një moment që na lejon të marrim pak fryme lirisht, ku kemi marrë edhe fëmijët tanë në mënyrë që të harrojmë jetën e vështirë”, shprehet një banore.

Rreth 30.000 persona po marrin ndihmë pasi kane ikur nga zona e rrethuar lindore e  Alepos, duke çuar në total numrin e personave të zhvendosur në më shumë se 400.000 njerëz. Vetëm një ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zyrtarët paralajmëruan se Aleppo do të kthehet në një varrezë gjigante nëse nuk merren masa urgjente.

Top Channel