“Philip Morris” do të ndalë prodhimin e cigareve

01/12/2016 00:00

“Philip Morris International”, kompania më e madhe e duhanit në nivel global, ka njoftuar faktin se mund të nisë ndalimin gradual të shitjes së cigareve, pas lançimit të produktit të ri “Iqos” në tregun britanik.

“Duhet të shohim padyshim drejt së ardhmes, kur Philip Morris të mos nxjerrë në shitje cigare në treg”, ka deklaruar Martin Inkster, administrator i deleguar i “Philip Morris” në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

“Philip Morris” është gati të braktisë gradualisht prodhimin e cigareve, pas presioneve të ushtruara prej rregullave me të cilat përballet industria e duhanit. Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuara ka hedhur poshtë një padi të kompanisë shumëkombëshe kundër ndalimit të marketingut.

Gjatë dekadës së fundit, “Philip Morris” ka investuar 3 miliardë dollarë për produktin e ri “Iqos”, që përcakton një hap përpara drejt një të ardhmeje pa duhanpirje, pasi “Iqos” e nxeh duhanin pa e djegur atë.

Sipas “Philip Morris”, avulli i nxjerrë nga ky produkt i ri ka më pak se 10 për qind të substancave të dëmshme që përmban duhani. Produkti është tregtuar tashmë në një sërë tregjesh, mes të cilave Japonia, Zvicra dhe Italia. “Philip Morris”, gjithsesi, prodhon ende 870 miliardë cigare çdo vit.

Cigarja e re “e padjegshme” ka sjellë deri më tani, në fabrikat italiane të “Philip Morris”, 200 të punësuarit e parë, gjë që janë sa një e treta e atyre të programuar.

Ndërkohë, “British American Tobacco” (markë që tregton mbi 25 lloje cigaresh, nga Lucky Strike deri te Ms) ka njoftuar një miliard euro investimesh në Itali, mes të cilave materiale dhe makineri për prodhimin e cigareve, me mbështetje për fermerët përmes blerjes së duhanit italian. Ashtu si “Philip Morris”, grupi në fjalë është i diversifikuar dhe synon gjithashtu edhe “cigaren elektrike”. Në Milano është prezantuar për herë të parë tipi i ri i cigares elektronike të quajtur “Vype Pebble”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel