Aksidenti ajror mbi Kolumbi, Bolivia pezullon licencën e kompanisë “LaMia”

01/12/2016 00:00

Autoriteti i aviacionit në Bolivi pezulloi licencën e kompanisë ajrore “LaMia”, avioni i së cilës u përplas të hënën në Kolumbi, duke i kushtuar jetën dhjetëra njerëzve.

Ky ishte avioni i vetëm në punë i kompanisë dhe zotërohej pjesërisht nga piloti. Avioni, me të cilin udhëtonte ekipi brazilian i futbollit Chapecoense, u rrëzua në afërsi të qytetit Medelin dhe tragjedisë i mbijetuan vetëm 6 persona.

Autoritetet kolumbiane bënë me dije se, shtohen gjithnjë e më shumë provat se avioni u rrëzua pasi nuk kishte më karburant. Kompania “LaMia” u themelua vitin e shkuar dhe kishte vetëm 3 avionë, dy prej të cilëve janë në riparim.

Zyrtarë kolumbianë që po kryejnë hetimet thanë se, është e qartë që në avion nuk kishte karburant në momentin e përplasjes. Rregulloret e fluturimit thonë qartë se avionët duhet të kenë 30 minuta karburant shtesë, rezervë në raste emergjence, për t’u ulur në ndonjë aeroport tjetër, por avioni fatkeq nuk e kishte këtë.

Fjalët e zyrtarëve kolumbianë konfirmojnë regjistrimin e pilotit Miguel Quiroga, që paralajmëron për një dështim të plotë të sistemit elektrik dhe mungesë karburanti. Kompania “LaMia” tha se përgjegjësia bie mbi pilotin, i cili mendoi se mund të mbërrinte në Medelin me karburantin që kishte dhe nuk e furnizoi avionin.

Mungesa e karburantit po pranohet gjithnjë e më shumë si shkaku i aksidentit, por zyrtarisht kjo do të konfirmohet pas disa muajsh, kohë kur pritet që të përfundojnë hetimet.

Top Channel