Trump heq dorë nga bizneset…për Shtëpinë e Bardhë

30/11/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar tërheqjen e tij nga të gjitha bizneset, për t’u fokusuar kështu në punët e Shtëpisë së Bardhë, si dhe për të shmangur çdo dyshim për konflikt të mundshëm interesi.

Trump tha se planin për këtë gjë do ta bëjë të ditur në një konferencë për shtyp më 15 dhjetor, së bashku me fëmijët e tij. Megjithatë, më herët ai ka hedhur poshtë shqetësimet mbi konflikte të mundshme interesi mes bizneseve të tij dhe presidencës.

Ndërkohë, ish-shefi ekzekutiv i “Goldman Sachs”, Steven Mnuchin konfirmoi se është përzgjedhur si Sekretar i Thesarit. Mnuchin, i cili ka qenë drejtor financiar i fushatës së Trumpit, bëri të ditur gjithashtu se investitori miliarder Wilbur Ross është përzgjedhur në postin e Sekretarit të Tregtisë.

Trumpi vet dhe ekipi i tij i tranzicionit nuk i kanë konfirmuar ende këto emërime, të cilat priteshin gjerësisht. Në vend të kësaj, Trump ka zgjedhur të fokusohet në planet e tij për të distancuar vetveten nga bizneset e tij, përmes një serie “cicërimash” në rrjetin social “Twitter”, të postuara përgjatë 20 minutave.

“Do të mbaj një konferencë të rëndësishme për shtyp në Nju Jork Siti, së bashku me fëmijët e mi më 15 dhjetor, për të diskutuar faktin e tërheqjes sime nga bizneset e mia, në mënyrë që të fokusohem tërësisht në drejtimin e vendit dhe për ta bërë Amerikën sërish të madhe”, shkruhej në rrjetin social.

“Edhe pse nuk jam i detyruar ligjërisht ta bëj këtë, e ndiej si detyrim të rëndësishëm moral, që si president të mos kem në asnjë mënyrë ndonjë konflikt interesi me bizneset e mia të ndryshme”, shton më tej manjati.

“Për këtë arsye, dokumentet ligjore janë duke u hartuar për të më nxjerrë mua tërësisht jashtë çdo operacioni të bizneseve të mia. Presidenca është një detyrë shumë herë më e rëndësishme”, përfundon Trump.

Në SHBA nuk ka asnjë kërkesë ligjore që t’i detyrojë presidentët të heqin dorë nga asetet e tyre, megjithatë, në të kaluarën shumë presidentë amerikanë e kanë bërë këtë gjë, duke u mënjanuar nga bizneset.

Rivalët e Trumpit kanë ngritur shpeshherë shqetësime të vazhdueshme se kjo gjë mund të shkaktonte probleme në muajt në vijim. Në një intervistë të mëparshme për “New York Times”, Trump kishte thënë se po merrte në konsideratë ndarjen e këtyre dy fushave të përgjegjësisë, por theksonte se ishte i bindur se mund t’i bënte që të dyja në mënyrë perfekte.

Aktualisht, 3 fëmijët e tij më të rritur kanë role të rëndësishme brenda “perandorisë” së Donald Trump.

FOTO GALERI
1/1
Pas Melanias...Ivanka, Eric dhe Donald Jr janë aktualisht të përfshirë në bizneset e Trump

Top Channel