Skandali i korrupsionit në Korenë e Jugut, presidentja injoron prokurorët

28/11/2016 00:00

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-Hye refuzoi sërish që të merret në pyetje nga prokurorët, për skandalin korruptiv që ka shkaktuar protesta masive në vend. Përmes një mesazhi SMS, drejtuar zyrës së prokurorit, avokati i presidentes tha se punëdhënësja e tij ishte tejet e zënë.

“Presidentja Park po punon aktualisht për të kontrolluar situatën në Kore dhe duhet gjithashtu të zgjedhjë prokurorin special. Për shkak të kësaj axhende, e ka të vështirë të gjejë kohën dhe s’mund të bashkëpunojë në kuadër të prokurorit për ta marrë në pyetje ballë për ballë”, shkruhet në mesazh.

Prokurorët duan marrin në pyetje presidenten si pjesë e skandalit gjithnjë e në rritje korruptiv, që nisi me zbulimin se ajo i kishte treguar dokumente sekrete mikeshës së saj, Choi Soon-sil, e cila më pas shfrytëzoi lidhjet me kreun e shtetit për përfitime personale.

Mjaft zyrtarë të partisë qeverisëse “Saenuri” kanë dhënë dorëheqjen për shkak të skandalit, duke lënë vetëm presidenten, e cila sidoqoftë nuk jep shenja se do të dorëhiqet, pavarësisht protestave masive popullore që e kërkojnë këtë.

Të shtunën, rreth 1.5 milionë njerëz protestuan në Seul duke kërkuar largimin e saj nga detyra. Opozita, ndërkohë, po planifikin që të padisë presidenten, duke thënë se ajo s’mund të përdorë postin për t’i shpëtuar marrjes në pyetje në atë që tashmë rivalët e saj e kanë quajtur skandalin “Parkgate”.

Top Channel