Aleppo, një tjetër zonë bie në duart e ushtrisë së Assad

28/11/2016 00:00

Forcat qeveritare siriane morën nën kontroll një pjesë të rëndësishme të Aleppos lindore, duke e reduktuar ndjeshëm territorin e pushtuar nga rebelët.

Televizioni shtetëror, por edhe grupi monitorues i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, thanë se distrikti Sakhour kishte rënë në duart e ushtrisë siriane. Sipas Rami Abdulrahman, drejtor i Observatorit me seli në Londër, forcat opozitare kishin humbur më shumë se një të tretën e zonës që kontrollonin në qytet.

Pjesa lindore e Aleppos ka qenë e pushtuar nga fraksione të ndryshme rebele, që kanë kundërshtuar presidentin Bashar al-Assad përgjatë 4 viteve të fundit.

Trupat e regjimit dhe aleatët e tyre nisën një ofensive madhore për të rimarrë kontrollin e Aleppos në muajin shtator, e mijëra civilë janë larguar nga lindja e qytetit, pas një fundjave bombardimesh të rënda.

Çlirimi i të gjithë Aleppos, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, është një qëllim kyç i qeverisë siriane në luftën e saj kundër rebelëve. Sipas komisionerit të OKB-së për Refugjatët në Siri, Scott Craig, 250 mijë njerëz kishin nevojë për ndihmë në lindje të Aleppos, 100 mijë prej të cilëve fëmijë.

“Situata atje, – thotë ai, – është përtej së imagjinueshmes”. Televizioni shtetëror citoi një burim të ushtrisë siriane të thotë se forcat qeveritare po e vazhdojnë avancimin e tyre në lagjet lindore të Aleppos, e se inxhinierët po çaktivizonin pajisjet shpërthyese dhe minat.

Rusia, ndërkohë, pohon se forcat e saj ajrore janë aktive në pjesë të tjera të vendit, por nuk po operojnë në Aleppo.

Top Channel