Bota reagon e ndarë Fidel Castron

26/11/2016 00:00

Një figurë e rëndësishme e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, Fidel Castro i qendroi besnik ideologjisë së tij edhe pas shembjes së komunizmit sovjetik dhe arriti të mbetej një idhull në ato pjesë të botës të munduara prej sundimit kolonial e shfrytëzimit të skajshëm.

Udhëheqësi revolucionar që sfidoi për pesë dekada përpjekjet e Amerikës për rrëzimin e tij ka mbështetësit e vet. Homazhet për të kanë vërshuar nga liderë të ndryshëm botërorë, përfshirë kryeministrin indian, Narendra Modi dhe liderin socialist të Venezulës Nicolas Maduro, që tha se “revolucionarët në mbarë globin duhet të ndjekin trashëgiminë e Fidelit”.

Në Havanë, rrugët ishin të qeta, por mjaft banorë reaguan me trishtim ndaj lajmit që gëzoi nga ana tjetër disidentët kubanë në Majemi, të cilët dolën nëpër rrugë e festuan me flamujt e Kubës në duar.

Castro u demonizua nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, por u admirua nga shumë majtistë nëpër botë, sidomos liderët revolucionarë në Amerikën Latine e Afrikë. Pasi u lirua nga burgu në 1990-n, Nelson Mandela i falenderoi vazhdimisht përpjekjet e Fidelit për dobësimin e Apartejdit.

“E gjithë bota do ta kujtojë sepse ai njeri arriti në një vend ku nuk kishte mbërritur askush tjetër. Mori një shtet, qëndroi president për aq shumë vjet. Vetëm ai mund ta bëntë një gjë të tillë”, thotë Dunsy Fajardo, qytetar kuban.

Lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçov kujtoi se Fidel Castro rezistoi dhe e forcoi vendin e tij gjatë kohës së bllokadës më të ashpër amerikane kur presioni mbi të ishte kolosal. Vladimir Putin e përshkroi si një mik të sinqertë e të besueshëm të Rusisë, ndërsa për presidentin francez, Francois Hollande, Castro mishëroi tek revolucioni kuban në fillim shpresat e më vonë zhgënjimet e tij.

Top Channel