Snowden nuk mund të udhëtojë drejt Oslos. Frikë nga ekstradimi në SHBA

25/11/2016 00:00

Kërkesa e Edward Snowden, për t’i garantuar atij se nuk do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara nëse do të vizitonte Norvegjinë, është refuzuar nga Gjykata Supreme e vendit skandinav.

Ish-kontraktori i NSA-së dorëzoi kërkesën ligjore në muajin prill, në përpjekje për të siguruar një kalim të sigurtë në Norvegji për të marrë një çmim për fjalën e lirë. Kërkesa e tij ishte refuzuar gjithashtu edhe nga Gjykata e Oslos dhe një gjykatë apeli.

Snowden u bë i njohur si një ish-analist i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), i cili publikoi disa detaje sekrete mbi mbikëqyrjen në SHBA.

Për shkak të publikimit të materialeve të klasifikuara, ai përballet tashmë me akuza në Amerikë, mbi bazën e të cilave ai mund të burgoset deri në 30 vite.

Avokatët e Snowden kishin thënë më herët se, nëse ai ekstradohet në SHBA, kjo do të çonte në “përfundimin e pashmangshëm” se ai do të dënohej dhe burgosej.

Snowden jeton në Rusi që prej vitit 2013, duke qenë kështu larg autoriteteve amerikane të drejtësisë. Ai shpresonte të udhëtonte drejt Oslos për të marrë Çmimin “Ossietzky”, për shkak të “përpjekjeve të jashtëzakonshme për lirinë e të shprehurit”. Çmimi pritej të prezantohej më herët gjatë këtij muaji.

Megjithatë, Gjykata Supreme e Norvegjisë vendosi se nuk mund ta përjashtonte ligjshmërinë e ndonjë hapi për ekstradimin e Snowdenit, edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë deri më tani.

Top Channel