Franca parandalon një sulm terrorist gjatë festave

25/11/2016 00:00

Pesë personat e arrestuar gjatë bastisjeve të kryera fundjavën e kaluar në Francë po planifikonin një sulm terrorist që do të godiste Parisin të enjten e ardhshme. Këtë e tha kryeprokurori francez François Mollins, sipas të cilit, të dyshuarit po merrnin urdhra nga një komandant i Shtetit Islamik me bazë në Irak ose Siri, përmes aplikacioneve të koduara.

Gjatë bastisjeve të zhvilluara në Strasburg dhe Marsejë u zbuluan gjithashtu armë automatike. Sipas Mollins, hetuesit nuk e kishin përcaktuar shënjestrën e sulmit të planifikuar, edhe pse shtoi se koordinata “GPS”-i u gjetën në një “USB”.

Gjithsesi mediet pohojnë se, mes shënjestrave të mundshme përfshihen gjykata, zyra të policisë gjyqësore, tregu i Krishtlindjeve në “Champs Elysees” dhe parku i “Disneyland”-it në lindje të qytetit.

“Një komandë me bazë në Strasburg dhe një person i arrestuar në Marsejë po merrnin udhëzime për të blerë armë nga një komandant i ISIS-it në Irak ose Siri. Armët do të përdoreshin për të krijuar trazira publike përmes akteve të dhunës në tokën franceze, në emër të organizatës terroriste ISIS”, tha Mollins.

Katër personat e arrestuar në qytetin lindor të Strasburgut janë të gjithë shtetas francezë me origjinë afrikano-veriore. Dy prej tyre kishin udhëtuar në Siri vitin e kaluar. I dyshuari i pestë me origjinë nga Maroku dhe i ndaluar në qytetin e Marsejës nuk i njihte personat e tjerë, por po merrte udhëzime nga i njëjti burim.

Top Channel