Rritja e normës së interesit, ekspertët japin disa shkaqe

24/11/2016 00:00

Ardian Civici, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, mendon se rritja e interesave do të vazhdojë pasi diktohet nga faktorë të qëndrueshëm.

“Ka një tendencë të qartë që në vitet në vazhdim do dominojë më tepër borxhi i brendshëm. Pra, borxhi në lekë. Nga ana tjetër edhe vetë niveli i perceptimit të riskut që kanë bankat për ekonominë shqiptarë të krijojnë bindjen se normat e interesit mund të hyjnë në një fazë rritjeje”, thotë Civici.

Por veç sjelljes së qeverisë, një tjetër faktor sipas Civicit mund të jetë mungesa e lekut në treg, një hipotezë që mbështetet edhe nga ecuria e kursit të këmbimit.

“Disponibiliteti i lekut në treg është ndoshta jo në ato përmasa që ka qenë për të garantuar norma të ulëta interesi për bonot e thesarit”, nënvizon Civici.

Por sipas Civicit, më shumë se ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të rritur sasinë e parasë në treg, kjo situatë kërkon nxitjen e bankave për të dhënë kredi dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Top Channel