“Nacionalizmi i ri”; “The Economist” komenton sloganin e Donald Trump

20/11/2016 00:00

“The Economist” e quan  “Nacionalizmi i ri”. Slogani i fushatës së Donald Trump, “Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, editorialistit i sjell në mendje moton e Ronald Reagan  në 1980-tën.

Votuesit atëherë kërkonin ringritjen e vendit pas dështimeve të presidencës Carter. ndryshimi mes aktorit të kthyer në President dhe ish-yllit të “Reality” që pret të hyjë në zyrën ovale është se Amerika e premtuar prej të parit ishte optimiste, ndërsa kjo e Trump është e zemëruar.

Për të parën herë që prej Luftës se Dytë Botërore, fuqitë e mëdha e ato në rritje po bien në të njëjtën kohë pre e formave të ndryshme të shovinizmit. Ashtu si Trump, thotë “The Economist”, edhe krerë shtetesh si në Rusi, Kinë apo Turqi janë duke përqafuar këndvështrimin pesimist se çështjet e jashtme janë shpeshherë një lojë me shumatore zero ku interesat globale konkurrojnë ashpër me ato kombëtare.

Është një ndryshim që lëviz drejt një bote edhe më të rrezikshme. Mbylljen brenda vetes Amerika, kujton revista prestigjoze, e pa kur përfundoi Lufta e Parë Botërore dhe pasojat për vendin ishin katastrofike.

Nuk duhet te parashikosh diçka kaq të zymte që t’i druhesh nacionalizmit të ri të Trumpit sot, vazhdon artikulli. Brenda kufijve, ai prodhon intolerancë dhe ushqen dyshimet mbi virtytin dhe besnikërinë e minoriteteve. Për “The Economist”, ajo që Trump duhet të kuptojë se mosangazhimi jo vetëm do ta shkëpusë Amerikën nga pjesa tjetër e botës, por dhe do ta bëjë të cënueshme nga trazirat e konfliktet.

E nëse Trumpi nuk e braktis vizionin e tij, nuk është çudi që më vonë ta gjejë veten të mbërthyer në një rreth vicioz masash ndëshkuese e armiqësish.

Top Channel