Rrëshqitje dheu në një minierë në Turqi, viktima dhe të bllokuar

18/11/2016 00:00

Një rrëshqitje dheu është bërë shkas për bllokimin e 12 personave që po punonin në një minierë bakri në juglindje të Turqisë. Të paktën katër vetë vdiqën gjatë incidentit dhe ekipet e shpëtimit po mundohen me të gjitha mënyrat që bilanci i viktimave, të mos rëndohet akoma më shumë.

“Park Elektrik”, kompania që e ka minierën në zotërim, njoftoi se rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e shirave të dendur në të gjithë rajonin e Sirvanit në provincën Siirt.

Rreziku i përsëritjes së episodeve të ngjashme nuk ka kaluar ende, ndaj në minierë është pezulluar çdo aktivitet.

Incidentet në vendin e punës nuk të pazakonta për Turqinë. Rritja e rrufeshme ekonomike e vendit përgjatë dekadës së fundit ka sjellë një bum ndërtimesh dhe shtim të ndjeshëm të kërkesës për energji e shërbime.

Në një situatë të tillë, shpeshherë standardet e sigurisë në vendin e punës nuk arrijnë dot të ruajnë ritmin e kërkuar prej tyre.

Në këtë drejtim, të dhënat e sektorit minerar e sidomos ato të bakrit, çalojnë prej shumë kohësh tashmë. Aksidenti më i rëndë në një minierë bakri u shënua majin e 2014-s në qytetin perëndimor të Somas, ku prej një shpërthimi humbën jetën 301 minatorë.

Top Channel