Obama dhe liderët e BE: Do vazhdojmë presionet ndaj Rusisë

18/11/2016 00:00

Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe liderët e vendeve të BE-së kanë riafirmuar zotimin e tyre për unitetin e NATO-s dhe për sanksionet kundër Rusisë për rolin e saj në krizën ukrainase.

Të mbledhur në Berlin, liderët e Perëndimit kanë kritikuar gjithashtu Rusinë për sulmet ajrore në Siri dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen humanitare në vend.

Ky ishte samiti i parë i liderëve që kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane, i cili e ka kritikuar disa herë NATO-n dhe ka shprehur shpresën për marrëdhënie më të ngrohta me Moskën.

Në kryeqytetin gjerman, presidenti Obama, i cili po zhvillon udhëtimin e fundit zyrtar në Europë, është takuar me kancelaren gjermane Merkel, kryeministren britanike Theresa May, presidentin francez Francois Hollande, kryeministrin italian Renzi dhe atë spanjoll, Rajoy.

Një deklaratë e shpërndarë më vonë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se, krerët e shteteve kishin vlerësuar njëzëri rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit përmes institucioneve, përfshirë Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Ata ranë dakord sa i takon nevojës për të çuar përpara axhendën ndërkombëtare, në veçanti për të rikthyer stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”, thuhet në deklaratë.

Top Channel