Raúl Castro në moshën 95-vjeçare shfaqet sërish në publik, pamjet që po bëjnë xhiron e botës

07/09/2026 07:58

Ish-presidenti kubanez, Raúl Castro, është shfaqur sërish në publik në moshën 95-vjeçare, më pak se një muaj pas paraqitjes së tij të fundit në Havana, në ceremoninë e 100-vjetorit të lindjes së vëllait të tij të ndjerë, Fidel Castro.

Televizioni shtetëror kubanez transmetoi gjatë fundjavës pamje nga një ceremoni ku Raúl Castro mori pjesë me rastin e 65-vjetorit të themelimit të një njësie të Ministrisë së Brendshme, përgjegjëse për sigurinë personale të udhëheqësve kubanë, përfshirë Fidel Castron.

I shoqëruar nga nipi i tij, Raúl Guillermo Rodríguez Castro, i cili drejton njësinë e sigurisë personale, ish-presidenti përshëndeti disa prej veteranëve të saj. Në pamje, ai shfaqet i veshur me uniformën e tij të zakonshme ushtarake jeshile dhe duket energjik.


Raúl Castro drejtoi Kubën nga viti 2006 deri në vitin 2018. Edhe pse nuk mban më një post zyrtar në qeveri apo në Partinë Komuniste, ai vijon të ketë ndikim të rëndësishëm në vendimmarrjen politike dhe ruan lidhje të forta me ushtrinë.

Në qershor, presidenca kubaneze njoftoi miratimin e reformave ekonomike që synojnë transformimin e ekonomisë së vendit dhe përballimin e krizës së rëndë ekonomike që po prek Kubën.


Masat janë përshkruar si ndryshimi më i madh në modelin ekonomik të vendit që prej vendosjes së sistemit komunist, rreth shtatë dekada më parë.

Ndërkohë, në maj, Raúl Castro u padit në Shtetet e Bashkuara për vdekjen e katër shtetasve amerikanë në vitin 1996, kur dy avionë të vegjël, që transportonin anëtarë të një organizate anti-Castro, u rrëzuan. Në atë kohë, Castro ishte ministër i Mbrojtjes i Kubës.

Top Channel