Londër, Assange do të merret në pyetje nga kryeprokurorja suedeze

14/11/2016 00:00

Kryeprokurorja suedeze ka mbërritur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, për të marrë në pyetje themeluesin e “Wikileaks”, Julian Assange, në lidhje me akuzat për përdhunim me të cilat përballet në Suedi.

Edhe pse ai e mohon të ketë përdhunuar një grua suedeze në vitin 2010, kryeprokurorja ka mbërritur për të dëgjuar deklaratat e tij me ndërmjetësimin e një prokurori ekuadorian, i cili do t’ia drejtojë pyetjet Assange.

Themeluesi i “Wikileaks” fitoi të drejtën e azilit nga Ekuadori dhe strehohet në ambasadën e këtij shteti në Britani që prej 4 vitesh, duke iu frikësuar ekstradimit të mundshëm në Suedi, apo edhe në Shtetet e Bashkuara.

Assange nga ana e tij thotë se akti seksual mes dy personave në fjalë ka qenë konsensual dhe beson se akuza e ngritur ndaj tij është e motivuar politikisht.

Akuza lidhet me kohën kur Assange bëri një vizitë në Stockholm të Suedisë në gusht të vitit 2010 për të dhënë një leksion. Ai ka refuzuar të udhëtojë drejt vendit nordik për t’u marrë në pyetje, nga frika se mund të ekstradohet në SHBA, aty ku akuzohet për publikimin e mbi 500 mijë dosjeve sekrete ushtarake mbi luftërat në Afganistan dhe Irak.

Në Ambasadën e Ekuadorit ai nuk mund të preket as nga autoritetet britanike, të cilët e ruajnë prej vitesh në dyert e këtij institucioni, në rast të ndonjë daljeje të mundshme të tij për t’u “arratisur”.

Top Channel