Londër, trami del nga shinat. Të vdekur dhe mbi 50 të plagosur

09/11/2016 00:00

Një tram ka dalë nga shinat në jug të Londrës përpara agimit këtë të mërkurë, duke shkaktuar disa “humbje jetësh” dhe duke plagosur më shumë se 50 persona, bëjnë të ditur policia dhe shërbimet e emergjencave.

Punonjësit e emergjencave ndodhen ende në vendngjarje, në Croydon, duke u përpjekur të nxjerrin dy persona të bllokuar në rrënojat e trenit dyvagonësh, që është anuar në njërin krah sapo kishte kaluar një nënkalim. Shkaku i daljes nga shinat ende nuk dihet, por për të po hetohet.

“Disa persona janë dërguar në spital me dëmtime dhe, fatkeqësisht, duket se ka pasur edhe disa humbje jetësh”, thotë ndihmëspolici Robin Smith për reporterët.

Departamenti i Zjarrfikësve të Londrës njoftoi se 8 zjarrfikëse dhe 4 njësi me specialistë shpëtimi kanë shkuar në vendngjarje. Shërbimi i emergjencave është njoftuar për tramin rreth orës 6:10 të mëngjesit (7:10).

“Dëgjova një përplasje të fuqishme rreth orës 6:15, më pas dëgjova britma dhe shumë shpejt erdhën edhe shërbimet e emergjencave”, tha Hannah Collier, një banor 23-vjeçar. “Ata nisën të transportonin viktimat, disa prej të cilëve shumë rëndë. Njerëzit u nxorën me barrela”.

Një tjetër banor,76-vjeçari Adil Salahi, firma e të cilit mbikëqyr rrjetin hekurudhor, tha se ishte lutur në momentin kur dëgjoi zhurmën e papritur. “Nuk lëviza për të parë çfarë kishte ndodhur. Mendova se ishte diçka në dyert e garazhit tim, më pas mendova se mos kishte të bënte me ndonjë kamion”, tha ai.

Menaxheri i stacionit, Joe Kenny tha se “zjarrfikësit kanë nxjerrë nga rrënojat disa persona, ndërsa dy mbeten ende të bllokuar”. Rrjeti i vetëm i tramvajit që operon në pjesën jugore të Londrës u shërben plot 27 milionë pasagjerëve, siç u regjistrua vitin e kaluar.

Top Channel