Shembet një ndërtesë në Mesina të Italisë, gjashtë persona rezultojnë të zhdukur. Ka shpresa për persona të gjallë Partia prokurde “HDP” vendosi të bojkotojë Parlamentin pas arrestimit të 11 ligjvënësve të saj. Partia Demokratike e Popullit, forca e dytë më e madhe opozitare në Asamblenë e Turqisë, sqaroi se tërheqja nuk do të jetë përfundimtare, por deputetët e saj do të rreshtin së marri pjesë në takimet e komisioneve dhe seancat parlamentare.
“Pas diskutimeve me grupin tonë parlamentar dhe Kryesinë e partisë, vendosëm të ndalojmë përpjekjet tona legjislative në dritën e sulmit më të errët në historinë e demokracisë sonë. Do të takojmë sërish njerëzit tanë. Do të shkojmë në çdo lagje, çdo fshat e qytet, e të dëgjojmë ankesat apo sugjerimet që ata kanë”, tha Ayhan Bilgen, zëdhënës i “HDP”-së.
Shumica e mbështetësve të partisë janë në juglindjen me shumicë kurde të vendit. Krerët e “HDP”-së, Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag janë lënë në qeli, në pritje të procesit gjyqësor.
Veprimet e ekzekutivit turk ngjallën shqetësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Gjermania dhe Danimarka thirrën diplomatët turq për shpjegime. Sipas presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz, veprimi i Ankarasë vë në pikëpyetje bazën e një marrëdhënieje të qëndrueshme BE-Turqi.
Top Channel