Shembet një ndërtesë në Mesina të Italisë, gjashtë persona rezultojnë të zhdukur. Ka shpresa për persona të gjallë Forcat irakiane janë shtyrë edhe më thellë në Lindje të Mosulit, qyteti verior i pushtuar prej dy vitesh nga militantët e Shtetit Islamik. Trupat e Bagdadit arritën të thyejnë mbrojtjen e ISIS-it, e hynë në lagjen “al-Zahra”, të cilën tani e kontrollojnë në masën 90%. Me xhihadistët po luftohet nëpër rrugë e rreziqet nuk mbarojnë aty.
“Armiku është mposhtur, siç mund ta shihni, por trupat tona tani po pastrojnë zonën nga mjetet shpërthyese, apo pajisjet ushtarake që kanë lënë pas luftëtarët e Shtetit Islamik. Kemi shpërthyer mbi 9 autobomba e kemi pasur të bëjmë edhe me atentatorë vetëvrasës. Po e vazhdojmë avancimin tonë dhe, sapo të mbarojmë këtu, do të lëvizim në lagje të tjera”, tha gjeneral lejtnant Qassem Jassim Nazzal.
Ndërkohë, OKB-ja shpreh shqetësim mbi dëshmitë e forta të mizorive të ISIS-it në Mosul dhe përreth tij. Me qindra vetë janë vrarë atje prej ekstremistëve, përfshirë 50 dezertorë e 180 ish-punonjës të qeverisë irakiane.
Militantët kanë transportuar 1.600 civilë të rrëmbyer nga qyteza e Hammam al-Alil, në atë të Tal Afar, për t’i përdorur me shumë gjasë si mburoja njerëzore. Banorëve të Hammam al-Alil, ata iu kanë kërkuar të dorëzojnë fëmijët, sidomos djemtë e moshës mbi 9 vjeç.
“Kanë përdorur altoparlantë ndërsa lëviznin me kamionë, e i kanë kërcënuar familjet me ndëshkim ekzemplar, nëse nuk pajtoheshin me urdhrin e tyre. Po i kërkojnë fëmijët, veçanërisht djemtë e mitur, si rekrutë”, tha Ravina Shamdasani, OKB.
Më shumë se 20 mijë njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i mësymjes, ditë më parë, dhe pritet që numri i tyre të shkojë deri në një milion.
Top Channel