Beteja për Mosulin, irakianët thyejnë “vijën e frontit”

02/11/2016 00:00

Ofensiva për çlirimin e qytetit të Mosulit po rezulton e suksesshme. Siç njoftoi një zëdhënës i forcave irakiane, trupat kanë avancuar në frontin e luftës së bastionit të fundit të ISIS-it në vend, pa pësuar asnjë humbje, ndërkohë në radhët e xhihadistëve viktimat janë të shumta.

Forcat qeveritare hynë në periferi të qytetit për herë të parë të martën, që kur ai u pushtua nga ekstremistët në qershor të vitit 2014. E mërkura shënon ditën e 17 të operacionit anti-ISIS, ku përfshihen 50 mijë ushtarë irakianë, luftëtarë “peshmerga” dhe milici sunite e shiite.

Trupat elitë morën kontrollin e godinës së televizionit publik në Kukjali, ditën e martë, disa orë pas mësymjes në distriktin lindor, e më pas avancuan në Karama, periferi e Mosulit. Një gazetar britanik i BBC-së, që po udhëton me ta, njofton se ata po përballen ende me rezistencë të fortë. Por, sipas zëdhënësit të shërbimeve kundër terrorizmit, Sabah Al Numan, forcat kishin kaluar frontin e luftës në qendër të Mosulit dhe kishin pushtuar një zonë të rëndësishme, që është hyrja kryesore për në Mosul nga lindja.

“Patëm një përleshje të ashpër me ISIS-in në zonë dhe mundëm ta çlironim atë shumë shpejt, pa pësuar humbje në njerëz, por duke shkaktuar viktima të shumta tek armiqtë”, ishin fjalët e tij për BBC-në.

Operacioni për çlirimin e Mosulit mbështetet nga koalicioni i drejtuar nga Amerika. Të martën, kryeministri irakian Haidar al-Abadi tha se, nga 3.000 deri në 5.000 militantë besohet se gjenden ende brenda qytetit, ndaj dhe u bëri thirrje atyre të dorëzoheshin ose të vdisnin.

E ndërsa Mosuli është nën rrethim, zyrtarë të OKB-së shprehin shqetësimet për sigurinë e 1.5 milionë civilëve që jetojnë atje. Zyra e Komisionerit të lartë për të Drejtat e Njeriut tha se kishte raporte të reja për vrasje masive dhe shpërngulje të detyruara nga ana e ISIS.

Top Channel