Makthi që s’ka fund, vazhdojnë lëkundjet në Itali

01/11/2016 00:00

Një tjetër lëkundje e fuqishme goditi mëngjesin e së martës, qendrën e Italisë. Epiqendra e tërmetit me intensitet 4.8 ballë, që u ndje fuqishëm nga Marche në Umbria, por edhe në kryeqytet, ishte në Macerata.

Që prej 30 tetorit, toka llogaritet të jetë lëkundur mbi 1100 herë. Kryebashkiaku i Ussita-s në Macerata teksa reagoi për tërmetin e fundit që e cilësoi si shumë të fuqishëm, tha se po përjetonin një kalvar që nuk mbaronte kurrë.

Shkollat në Romë u mbyllën për shkaqe sigurie të hënën dhe shpresohet që të rihapen të mërkurën, pas asaj që italianët e quajnë dita e shpirtrave, e kur familjet vizitojnë varret e të afërmve të tyre.

Edhe varrezat janë dëmuar rëndë në disa fshatra malorë. Të paktën 15 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë në rajonin që nuk po gjen paqe, ndërsa dhjetëra godina historike janë rrafshuar. Në shifrat e reja të publikuara nga mbrojtja civile nuk përfshihen 2 mijë personat që mbeten pa shtëpi, nga tërmeti vdekjeprurës i  muajit gusht, që shkaktoi rreth 300 viktima. Autoritetet vlerësojnë se një total prej 100 mijë njerëzish janë prekur në një farë mënyre nga tërmeti me magnitude 6.6 ballë i së dielës.

Top Channel