Nju Jork, ndalet shfaqja në Opera dhe evakuohen njerëzit

30/10/2016 00:00

Opera metropolitane e Nju Jorkut ndaloi shfaqjen e pasdites së të shtunës, pasi një nga spektatorët hodhi mbi orkestrën një substancë që dyshohet se është hiri i një personi të vdekur.

Incidenti ndodhi gjatë një intervali të shfaqjes “Gulielm Tell” dhe shkaktoi ndërhyrjen e forcave Antiterror. Sipas disa spektatorëve të tjerë, personi që hodhi pluhurin misterioz mbi orkestër tha se bëhej fjalë për hirin e një shokut të tij.

Personi në fjalë është identifikuar dhe autoritetet po përpiqen që të kontaktojnë më të. Që prej 11 shtatorit 2001, qendrat kulturore në Nju Jork janë në alarm dhe hedhja e pluhurit të çuditshëm mbi orkestër bëri që ndërtesa e operës të evakuohej.

Sigurisht që edhe shfaqja u ndërpre, ndërsa policia vazhdon hetimet. Hetues të policisë thanë se shpërndarja e hirit të një të ndjeri në këtë mënyrë shkel rregullat bashkiake, por zor se përbën krim.

Top Channel