SHBA, vdekja e këshilltarit të Putinit ishte “aksidentale”

28/10/2016 00:00

Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se vdekja e ish-këshilltarit të Vladimir Putinit, trupi i të cilit u gjet në një hotel në Washington DC me dëmtime të theksuara, ka qenë vetëm një “aksident”.

“Dehja e tepërt me etanol” ka qenë një shkak kontribues në vdekjen e Mikhail Lesin më 5 nëntor të vitit të kaluar, tha prokurori amerikan për rajonin e Columbias. 57-vjeçari rus u gjet i pajetë dhe i vetëm në dhomën e hotelit “Dupont Circle”. Ai kishte gjurmë dëmtimesh nga mjete të forta në kokë, në qafë, në trup, por edhe në gjymtyrët e sipërme apo të poshtme.

Prokurori amerikan tha se këto dëmtime ishin “shkaktuar nga rënia”, pas “disa ditësh konsumimi të tepërt të alkoolit”.

Deklarata bënte të ditur gjithashtu se hetimi, i ndërmarrë nga Departamenti Metropolitan i Policisë së Uashingtonit, nga zyra e prokurorit për rajonin e Columbias dhe me ndihmën e FBI-së, tashmë është mbyllur.

Media shtetërore ruse ka cituar familjarë të Lesin të kenë thënë se ai ka ndërruar jetë nga ataku kardiak. Por, vdekja misterioze e tij shkaktoi teori konspiracioni, sikur ai të ishte vrarë, madje edhe disa gjetje paraprake hetimore amerikane e mbështetën fillimisht këtë hipotezë.

Zyrtarët rusë kanë kritikuar për mungesë komunikimi autoritetet amerikane mbi vdekjen e Lesin. Ata thonë se morën dijeni mbi detajet e dëmtimeve të tji, vetëm pasi një raport ekzaminimi mjekësor ishte bërë publik.

Lesin ishte konsideruar për një kohë të gjatë si një prej figurave më me ndikim në tregun mediatik rus dhe në korridoret e pushtetit. Ai ka ushtruar funksionin e këshilltarit presidencial në vitet 2004-2009, kur ndihmoi me këshillat për të krijuar një kanal në gjuhën angleze të televizionin “Russia Today”.

Putin i thuri lavde Lesinit pas lajmit për vdekjen e tij, duke nxjerrë në pah “kontributin e jashtëzakonshëm të tij për formimin e medias moderne ruse”. Lesin akuzohet se kishte grumbulluar miliona dollarë asete në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, përfshi një pasuri të patundshme prej 28 milionë dollarësh në Los Angeles, teksa punonte për qeverinë ruse.

Kritikët e Kremlinit kanë hedhur dyshime se Lesin është vrarë nga agjentë rusë, sepse ai ishte në prag të bërjes së një marrëveshjeje me zyrtarët amerikanë, të cilët po hetonin pronat e tij në Kaliforni.

Top Channel