Ministri turk i Drejtësisë: Gulen është si Bin Laden

28/10/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë së Turqisë e ka krahasuar klerikun Fethullah Gulen as më shumë e as më pak sesa me Osama Bin Laden.

Bekir Bozdag tha se qeveria e tij është e vendosur të ekstradojë Fethullah Gulenin, të cilin Ankaraja zyrtare e fajëson për orkestrimin e grushtit të shtetit në muajin korrik.

“Vetëm imagjinoni sikur të ndodhë një atentat ndaj Presidentit Obama dhe familjes së tij. Sikur Shtëpia e Bardhë të bombardohet, sikur tanket të marshojnë në rrugë. 241 civilë të vrarë, ndërsa rreth 3.000 të tjerë të plagosen. Vetëm imagjinojeni këtë skenar. Vetëm imagjinojeni sikur autori i gjithë kësaj kasaphane të strehohej në Turqi. Çfarë do të mendonte populli amerikan në një situatë të tillë?”, pyeti ministri Bozdag.

Por Bozdag, i cili zhvilloi një takim me prokurorët amerikanë, nuk mori atë që donte në fund të ditës: pikërisht Fethullah Gulen.

Për të ekstraduar Gulenin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar përmbushjen e provave, duke thënë se Ankaraja ka ende punë për të bërë. Por ministri turk i Drejtësisë thotë gjithashtu se ka informacione nga shërbimet inteligjente, se Gulen mund të lërë fshehurazi Shtetet e Bashkuara dhe të largohet drejt Norvegjisë, Belgjikës, Kanadasë apo Meksikës.

Pavarësisht se Turqia dhe SHBA-të mbeten aleatë të mirë në luftën kundër ISIS, është e qartë se Ankaraja nuk e ka harruar Gulenin.

Top Channel