Kurdët rrethojnë fortesën e ISIS-it, Turqia kundër

28/10/2016 00:00

Një grup kryengritësish sirianë që përfshin luftëtarë kurdë të njësive të mbrojtjes popullore YPG, do të angazhohet në izolimin e Rakës, një zhvillim ky që me shumë gjasë do të zemërojë aleaten e Shteteve të Bashkuara, Turqinë, e cila e konsideron këtë grupim si të paligjshëm.

Gjenerali amerikan, Stephen Townsend, i cili udhëheq veprimet e koalicionit kundër ISIS-it, sqaroi se arsyeja përse po kërkohet me kaq ngulm marrja e fortesës së terroristëve në Siri, është se militantët e dhunshëm e përdorin këtë qytet si bazë për planifikimin e sulmeve jashtë kufijve.

Amerika e sheh YPG-në si aleate në luftën kundër ekstremistëve, por Ankaraja e konsideron organizatë terroriste për shkak të lidhjeve të saj me militantët etnikë kurdë të përfshirë në një kryengritje 30-vjeçare në Turqi.

“Turqia nuk do që ne të bashkëpunojmë me YPG-ne në asnjë vend e sidomos në Raka. Por ne po e diskutojmë këtë çështje me palën turke dhe do ta hedhim këtë hap”, tha Stephen Townsend, gjeneral amerikan.

Presidenti Barack Obama dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan diskutuan në telefon për luftën kundër ISIS-it. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi konkretisht Rakan, por tha se Obama i njeh përpjekjet e Turqisë në Veri të Sirisë dhe nevojën e një koordinimi të ngushtë me të për të ushtruar presion të vazhdueshëm mbi grupin ekstremist.

Top Channel