Siri, trupat turke vështirësojnë situatën me kurdët

26/10/2016 00:00

Turqia po e komplikon situatën në Sirinë veriore me intensifikimin e goditjes së grupeve të drejtuara nga kurdët në këtë rajon. Rebelët e “Ushtrisë së Lirë Siriane”, të mbështetur prej Ankarasë, kanë avancuar ndjeshëm ndaj Shtetit Islamik në vazhdën e një fushate ushtarake të njohur si “mburoja e Eufratit”, e cila zgjat prej 3 muajsh.

Por javën e kaluar, mes tyre dhe grupeve kurde shpërthyen përleshje të ashpra, e pas kësaj, 20 tanke turke kaluan kufirin me Sirinë. Ekspertët e shohin me rezerva ndërhyrjen e Ankarasë.

“Turqia kërkon t’u ndalojë kurdëve çdo përpjekje për të krijuar një organizëm të vetin autonom në Siri, sepse mendon që do të jetë e mundur tani, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe lejen e heshtur të Rusisë. Goditja e ISIS-it është justifikimi më i mirë që kanë turqit sot në duar për të penguar bashkimin e dy zonave kurde në veri të Aleppos, Afrinit dhe Xharablusit”, tha Mazen Belan, analist politik sirian.

Lëvizjet e Turqisë dhe mbështetja e saj për disa grupe rebele siriane do të çojnë në përballje me forcat e regjimit në al-Bab, një qytet pranë Aleppos i kontrolluar nga Shteti Islamik.

“Unë mendoj se, përderisa flitet për të sulmuar ISIS-in, Shtetet e Bashkuara do të pajtohen me veprimet aktuale të Turqisë e do ta lejojnë ta çojë deri në fund atë që ka nisur, por mes turqve dhe trupave siriane në afërsi të al-Babit, me shumë gjasë do të ketë përballje të ashpra”, tha Belan.

Të paktën 40 mijë vetë janë vrarë përgjatë gati 4 dekadash konflikti mes Ankarasë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Top Channel