Kriza në Venezuelë, Papa ul palët në tryezë

25/10/2016 00:00

Qeveria e Venezuelës dhe opozita do të takohen për bisedime emergjence pas ndërhyrjes së Papa Franceskut. Lajmi bëhet publik nga Vatikani, pasi presidenti i Venezuelës Nikoas Maduro u takua me papën në një vizitë të paparalajmëruar.

Së fundmi, në Venezuela janë zhvilluar shumë protesta pasi qeveria vendosi që të anulojë një referendum që mund të rrëzonte Maduron nga pushteti.

Vatikani dhe blloku i vendeve amerikano latine UNASUR do të jenë negociatorë në bisedimet që do të mbahen mes qeverisë së Venezuelës dhe opozitës. Në një komunikatë nga Vatikani shkruhet se Papa Françesku nxiti palët që të tregojë kurajë dhe të ndjekin rrugën e dialogut të sinqertë e konstruktiv.

Sipas të dërguarit të Vatikanit në Argjentinë, Emil Paul Tscherring, palët kanë rënë dakord për bisedime që do të zhvillohen të dielën në ishullin Margarita në Karaibe. Analistët thonë se është e paqartë nevoja e një territori neutral, pasi nuk ka asnjë arsye që bisedimet të mos zhvillohen në Venezuela, duke qenë se të dyja palët i përkasin këtij vendi.

Për më tepër, nuk ka asnjë axhendë të temave që do të diskutohen në bisedime, ndërsa dihet se diferencat mes palëve janë kolosale.

Lideri i koalicionit opozitar në Venezuela Jesus Torrealba tha se bisedimet janë të rëndësishme, por nuk mund të vazhdojnë të jenë një strategji e qeverisë që të fitojë kohë. Maduro, një ish-shofer autobusi, akuzohet nga opozita për gjendjen shumë të rënduar ekonomike.

Opozita u përpoq të organizonte një referendum për të larguar Maduron nga pushteti, por autoritetet zgjedhore e anuluan këtë lëvizje, diçka që dyshohet se u bë pasi sondazhet treguan se Maduro do të humbiste.

Top Channel