Francë, nis largimi i refugjatëve nga “xhungla” e Calais. Përleshje me policinë

24/10/2016 00:00

Autoritetet franceze nisën mes dëshpërimit të mijëra emigrantëve, largimin e tyre prej “xhunglës” famëkeqe të Calais (Kalèsë) përpara se kampi të çmontohet. Mesnates e së dielës, përleshje të ashpra shpërthyen mes refugjatëve dhe forcave të policisë. Emigrantet dogjën tualete të lëvizshme e i qëlluan efektivët me gurë, ndërsa si përgjigje morën gazin lotsjellës.

Panorama në mëngjes ishte krejt ndryshe. Njerëzit mbanin radhë në heshtje për të kaluar nëpër procedurat e largimit dhe 60 autobusët e parë që do t’i dërgojnë në qendrat e refugjatëve anembanë Francës jane nisur tashmë.

Ekziston sidoqoftë shqetësimi se një pjesë e refugjatëve mund ta refuzojnë shpërnguljen, sepse ende kërkojnë me ngulm që të udhëtojnë drejt Britanisë. Pikërisht ky ishte grupi shkaktar i trazirave të fundjavës.

Reporteri: Nëse do të ikësh nga “xhungla”, ku do të shkosh? A e njeh vendin?

Refugjati afgan: Unë nuk iki.

Reporteri: Po ç’do të bësh, do të qëndrosh këtu?

Refugjati: Këtu do të rri. Unë do të shkoj në Danimarkë.

“Nuk dua të shkoj në asnjë vend tjetër. Dua të qëndroj këtu në xhungël, pavarësisht se çfarë ndodh. Nëse do të fillojnë shkatërrimin e kampit, mua do të më gjejnë këtu”, tha Ibrahimi, refugjat sudanez.

Shkatërrimi i kampit, që ka strehuar deri më tani në kushte të mjerueshme rreth 7.000 vetë, është parashikuar të ndodhë të martën. Emigrantët që jetojnë aty kanë ardhur nga pjesë të trazuara të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, me shpresën e një jete më të mirë në Britaninë e ndodhur vetëm pak kilometra larg, në anën tjetër të La Manshit.

Top Channel