Japoni, vetëvritet pensionisti. Plagos 3 të tjerë

23/10/2016 00:00

Një ish-ushtarak 72-vjeçar hodhi veten në erë në një park të qytetit japonez Utsunomiya, duke vrarë veten e duke plagosur 3 persona të tjerë.

Një shpërthim i dytë, i shkëputur prej atij ku gjeti vdekjen ish-pjesëtari i forcave mbrojtëse të vendit, shkaktoi një zjarr të madh në një parking makinash.

Policia, në qytetin e ndodhur 100 km larg Tokios, thotë se ka gjetur një letër vetëvrasjeje të shkruar nga pensionisti dhe po heton 3 incidente të tjera, por nuk dha detaje të mëtejshme për asnjërën nga ngjarjet.

Pamjet e transmetuara nga televizioni japonez “NHK” treguan dy makina të djegura, njëra nga të cilat i përkiste 72-vjeçarit. Shpërthimi në park plagosi dy burra të moshës së mesme dhe një nxënës 14-vjeçar.

Niveli i vetëvrasjeve në Japoni ka rënë këto vitet e fundit, por vazhdon të mbetet sërish ndër më të lartët në botë, me gati 30 mijë persona në vit që vendosin t’i japin fund jetës së tyre. Te pensionistët, arsyeja kryesore e këtij veprimi i detyrohet stresit financiar, për shkak të mbijetesës me pensione të vogla.

Top Channel