Dita “Jo Renzit” në Itali, protestuesit kundër referendumit të 4 dhjetorit

23/10/2016 00:00

Mijëra vetë zbritën në rrugët e Romës të shtunën, për të protestuar kundër referendumit të propozuar nga kryeministri Matteo Renzi mbi reformat themelore kushtetuese.

Demonstruesit pretendojnë se Renzi ka implementuar një sërë politikash të gabuara politike dhe ekonomike, që prej marrjes së postit dy vite më parë. Protesta e quajtur “Dita Jo Renzit” u organizua edhe në qytete të tjera të vendit.

“Jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin kundër administratës ‘Renzi’. Që nga fillimi, politikat e tij kanë dëmtuar interesat e punëtorëve, duke penguar zhvillimin e tregut të punës, çfarë është në disfavor të të gjithë shoqërisë. Shpresoj që referendumi të mos kalojë, e në këtë rast, qeveria e Renzit do të bjerë”, tha Fabio Cremaschini, organizator.

Referendumi mbi reformat kushtetuese, një prej detyrave kryesore politike të administratës së majtë të Matteo Renzit, do të mbahet në fillim të dhjetorit. Nëse nisma që amendon Kushtetutën italiane rrëzohet, kryeministri do të japë dorëheqjen, ose të paktën kështu pretendon.

Sipas planit të tij, reformat do të ndikojnë në të gjithë sistemin politik, duke përfshirë ndryshim të rregullave dhe zhveshjen e Senatit nga një pjesë e madhe e pushtetit, shpërbërjen e disa departamenteve qeveritare, uljen e kostove operacioniale politike dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes pushtetit lokal e atij qendror.

Shumë italianë, megjithatë, nuk pajtohen me disa prej ndërhyrjeve, me argumentin se politika e vendit duhet të qëndrojë siç është e të gjitha forcat e saj duhet të ekuilibrohen në mënyrë korrekte.

“Renzi kërkon ta centralizojë pushtetin legjislativ në një Kongres. Nëse kjo ndodh, ai do të jetë mbret, çfarë bie ndesh me Kushtetutën tonë”, tha Gianni Cavallini, banor i Romës.

Top Channel