Italia, 140 ushtarë në Letoni; Rusia: NATO, politikë destruktive

14/10/2016 00:00

Italia do të dërgojë në muajt e ardhshëm 140 ushtarë në Letoni, për të marrë pjesë në misionin e NATO-s të udhëhequr nga ushtria kanadeye në vendin baltik.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Italia ka dhënë gjithmonë kontributin e saj në misionet për përforcimin e sigurisë në vendet veri-lindore të Aleancës së Atlantikut”, ka sqaruar Gentiloni nga NATO Defense College, me seli në Romë.

Shefi i diplomacisë italiane ka sqaruar se dërgimi i ushtarëve në kufirin lindor të Europës nuk është një politikë agresioni ndaj Rusisë, “por një politikë për garantimin e mbrojtjes së kufijve të Aleancës”.

“Dialogu dhe bashkëpunimi i Italisë me NATO-n duhet të ecin paralelisht me garantimin e sigurisë së aleatëve tanë që ndihen në rrezik”, ka shtuar Gentiloni.

Duke reaguar ndaj njoftimit dhe vizitës së Stoltenberg në Romë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka kritikuar politikën e NATO-s.

“Politika e NATO-s është destruktive. Aleanca është e angazhuar në ndërtimin e linjave të reja përçarëse në Europë dhe jo për të konsoliduar dhe thelluar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar zëdhënësja.

Gjate qëndrimit në Itali, Stoltenberg njoftoi se dërgimi i 140 trupave nga Italia do të bëhet në 2018.

Top Channel