Ndërron jetë Mbreti i Tajlandës, monarku më jetëgjatë i botës

13/10/2016 00:00

Mbreti i Tajlandës Bhumibol Adulyadej ka ndërruar jetë në moshën 88 në një spital në Bangkok.

Pak kohë më parë, monarku më jetëgjatë i botës, i cili qëndroi në front për 70 vite, u shtrua me urgjencë në spital, por pavarësisht përkujdesit të mjekëve, ai nuk ka arritur të mbijetojë. Një infeksion i ri e gjunjëzoi 88-vjeçarin që vetëm para pak kohësh i ishte nënshtruar një trajtimi hemodialize.

Me qindra vetë ishin mbledhur përpara spital në pritje të një lajmi pozitiv, i cili nuk erdhi. Mes turmës kishte njerëz të veshur me të verdhë, ngjyra e mbretit; të tjerë mbanin bluza rozë sepse besonin se do të ndihmonin në përmirësimin e gjendjes së Mbretit.

Pas vdekjes së Mbretit, Tajlanda mbetet nën sundimin ushtarak, pas grushtit të shtetit të vitit 2014.

Monarku shihej si një figurë përbashkuese në Tajlandën e mbërthyer vitet e fundit nga një paqëndrueshmëri e theksuar politike. Diskutimet publike në këtë vend mbi shëndetin e Mbretit dhe planet për pasardhësin e tij, ndëshkohen me burg.

Top Channel