Kampi sekret në Siri, mbahen ish-luftëtarët e ISIS

13/10/2016 00:00

Një kamp sekret ku mbahen ish-pjesëtarë të ISIS-it dhe familjarë të tyre, është krijuar në Siri. Rreth 300 dezertorë dhe luftëtarë të kapur, përfshirë shumë europianë po mbahen në kampin e operuar nga grupi rebel Jaysh al-Tahrir.

Komandanti i tij, Mohammad al-Ghabi, thotë për median britanike BBC se po përpiqen t’i rehabilitojnë ata. Cilido që dëshiron të kthehet në atdhe, sipas komandantit, mund të telefonojë në ambasadën e tij dhe pas kësaj të koordinohet me autoritetet përmes tyre.

Mes ish-pjesëtarëve të grupit xhihadist në kampin që gjendet në një fshat rural të Sirisë veriore, janë shtetas francezë, holandezë e polakë e gjithashtu luftëtarë të huaj nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Azia qendrore. Siç sugjeron komandanti Ghabi shifrat po rriten gjithnjë e më shumë pas disfatave që po pëson Shteti Islamik falë një ofensive të rebelëve të mbështetur nga Turqia në veri të vendit, që quhet operacioni “Mburoja e Eufratit”.

Media britanike sqaron se nuk e ka vizituar kampin, por ka siguruar materiale nga brenda tij. Ai ka kushte bazike dhe të burgosurit atje thonë se trajtohen mirë, gjithsesi shumë duan të largohen. Një prej ish-luftëtarëve të ISIS, që e quan veten Abu Sumail, ka udhëtuar nga vendi i tij Holanda dy vjet më parë, duke shkuar fillimisht në Belgjikë, e më pas në Gaziantep të Turqisë. I riu flet me zhgënjim për jetën brenda territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik që sipas tij i trajtonte shumë keq, veçanërisht të ardhurit nga vendet e tjera.
 
“Është shumë e vështirë për ne të jetojmë në kushte kaq të vështira, pasi nuk jemi mësuar. Ti u jep atyre jetën, kështu ata do të fillojnë të të kenë plotësisht nën kontroll. Ata të shfrytëzojnë për gjëra shumë të këqija”, thotë ai.

Top Channel