Subvencionet për fermerët, Këshilli i Investimeve i rekomandon qeverisë rritjen e financimeve

04/10/2016 00:00

Këshilli i Investimeve i rekomandon qeverisë të rrisë subvencionet direkte për fermerët si një masë që nxit rritjen e prodhimit bujqësor dhe çon në formalizimin e këtij sektori. Në një studim të posaçëm mbi bujqësinë, këshilli thotë se skemat e subvencioneve direkte vlerësohen edhe nga vetë fermerët si mekanizmi më efikas për formalizim.

“Të shikohet shtrirja në një fashë të caktuar e skemës së subvencionit në bazë të prodhimit për një grup më të gjerë fermerësh si një incentivë direkte formalizimi”, thuhet në rekomandim.

Në vendet fqinje qeveritë shpenzojnë deri 150 milionë euro në vit për të mbështetur feremerët. Në Shqipëri, ndonëse në dy vitet e fundit fondi është rritur me 60 për qind, sërish është shumë i ulët krahasuar me kërkesat.

“Në këto kushte mundësitë për të përfituar nga skema edhe pse fermeri mund të ketë arritur të plotësojë të gjitha kriteret reduktohen gjithmonë e më shumë duke rënduar besimin e aplikuesve”, vijon raporti.
 
Vitin e kaluar qeveria miratoi një tjetër masë për mbështetjen e fermerëve, rimbursimin e TVSH-së 20 për qind. Sipas shifrave, deri tani nga kjo skemë fermerët kanë përfituar rreth 5.1 milionë dollarë.

Por edhe pse kompensimi i TVSH-së ka çuar në rritjen e ndjeshme të fermerëve që pajisen me NIPT, nga 1800 në 30 mijë, ende shumë prej tyre hezitojnë të formalizohen. Kjo, për shkak të procedurave burokratike të pajisjes me NIPT dhe keqinformimit, pasi sipas raportit, shumë fermerë druhen se mos pajisja me NIPT i ngarkon me detyrime tatimore çka nuk është e vërtetë.

Top Channel