AKU paralajmëron për bllokim 73 biznese

02/10/2016 11:15

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka nisur një aksion të gjerë për kontrollin e të gjitha subjekteve në vend, që merren me tregëtimin dhe prodhimin e produkteve ushqimore.

Sipas AKU-së, janë kryer kontrolle në tregje të hapura, në minimarkete, në subjekte që tregëtojnë mish e qumësht si dhe në të gjitha bizneset e tjera, për të parë se sa këto subjekte respektojnë kushtet për sigurinë ushqimore. Nga kontrollet e kryera nga data 23-30 shtator, janë marrë 73 masa “Paralajmërim” për bllokim, si dhe janë vendosur gjoba ndaj biznesve që tregëtojnë pa plotësuar kushtet.

Në Qarkun e Tiranës janë kryer 32 inspektime. Kontrolli është fokusuar në minimarkete, thertore, supermarkete, baxho, qendra të paketimit të vezëve si dhe në farmaci bujqësore. Nga kontrollet është vënë re, mungesë e kushteve higjieno-sanitare, mungesë të dokumentacionit dhe mossitemim i produkteve. Janë  dhënë 3 masa “Paralajmërim” për bllokim, ndërkohë që bizneset e tjera janë këshilluar për kushtet që duhet të plotësojnë.

Brenda një jave, në Durrës janë kryer 79 inspektime në produktet ushqimore, te produktet me orgjinë shtazore dhe në sektorin e mbrojtjes së bimëve. Inspektimet janë kryer në markete, supermarkete, subjekte që tregëtojnë mish, djath, peshk, qofte etj. Janë dhënë masa administrative “Paralajmërim” për 9 subjekte. Gjithashtu, janë kryer analizat edhe për qumështin e papërpunuar, ku nga analizat ka rezultuar se një subjekt tregëtonte qumësht, që nuk plotësonte kushtet.

Në Qarkun Shkodër janë kryer 75 inspektime, ku janë marrë 19 masa Administrative “Paralajmerime”, si dhe janë vendosur gjobat përkatëse ndaj këtyre subjekteve. Përsa i përket qumështit, 2 subjekte kanë rezultuar se e tregëtonin jashtë normave të lejuara.

Në Vlorë janë kryer 26 inspektime, ku janë marrë masa “Paralajmërim” për bllokim, për 7 biznese. Aksioni është përqëndruar te konrolli i produkteve ushqimore , si dhe te qumështi.

Në Berat janë kryer 44 inspektime, në subjekte që prodhojnë mish, në thertore, baxho, restorante, markete etj. Janë dhënë 8 masa “Paralajmërim” për bllokim, si dhe janë këshilluar subjektet për kushtet që duhet të plotësojnë në kontrollin e ardhshëm që do të bëjnë inspektorët e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit.

Në Fier janë kryer 36 inspektime, ku janë parlajmëruar 18 subjekte. 3 biznese kanë mbyllur aktivitetin, pasi më herët janë gjobitur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.

Në Gjirokastër janë kryer 37 inspektime, në subjekte që tregtojnë produktet e qumështit. Janë kontrolluar marketet dhe restorantet, ku janë vendosur 6 gjoba me vlerë nga 15 mijë deri në 60 mijë lekë. Gjithashtu janë parlajmëruar 4 subjekte të tjera.
Në Dibër janë kryer 12 inspektime, duke filluar nga furrat e bukës, deri te subjektet që përpunojnë fruta. Janë dhënë 4 masa “Paralajmërim”, për shkak se disa produkte tregëtoheshin, pa plotësuar kushtet e parashikuara në ligj.

Në Korçë janë kontrolluar 51 subjekte. Kontrolli është fokusuar në tregje, në Bar-Kafe dhe në “Fast-Food”. Inspektorët e AKU-së, kanë parë nga afër kushtet në të cilat tregëtoheshin produktet ushqimore, ku është marrë masa pezullim aktiviteti për një subjekt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA