“Mesjetë” në Kanada, vriten tre persona me shigjeta

26/08/2016 00:00

Tre persona u vranë në një sulm me hark kryq në Toronto dhe një person u arrestua në lidhje me ngjarjen.

Policia kanadeze tha se mori raporte për një incident në zonën Scarborough të qytetit, ku gjeti dy viktima dhe një person të tretë të plagosur rëndë që më pas humbi jetën në spital.

Autoritetet gjithashtu bënë me dije se i dyshuari për vrasjet, një 35-vjeçar, u arrestua i plagosur rëndë. Sipas policisë, viktimat ishin dy meshkuj dhe një femër.

Që të tre viktimat humbëm jetën nga plagë të shkaktuara nga shigjetat e lëshuara nga një hark kryq dhe një i tillë u gjet disa metra larg tyre.

Megjithëse është një armë tejet e rrezikshme, blerja e një harku kryq nuk kërkon leje në Kanada. Mësohet se ishte viktima e plagosur që më pas ndërroi jetë në spital që i telefonoi policisë për sulmin, për të cilin nuk ka asnjë arsye.

Në një tjetër incident që besohet se ka lidhje me këtë ngjarje makabër, policia evakuoi një ndërtesë në qytet për shkak të një pakoje të dyshimtë.

Por autoritetet nuk kanë dhënë detaje për këtë, duke thënë se hetimi ende vazhdon dhe se do të raportohet çfarë ndodhi pasi të zbardhet e gjithë ngjarja. Mediat kanadeze, bazuar në raporte të pakonfirmuara, thonë se vrasjet u bënë për shkaqe të dobëta si xhelozia apo probleme familjare.

Top Channel