Italia në rrezik nga tërmetet; Ndërtesat e vjetra shemben lehtësisht

25/08/2016 00:00

Italia konsiderohet si një nga rajonet më të prirura të Europës për tërmete dhe epiqendra e tërmetit 6.2 ballë në zemër të vendit është brenda një grupi të cilësuar si me “rrezik te lartë sizmik”  në qendër të apenineve.

Arkitektura e vjetër e rajonit qendror të Italisë bën që risku për dëmet e ndërtesave të jetë  shumë herë më i lartë. Qytezat që ndodhen në zemër të Italisë kanë arkitekturë e cila daton që në periudhën romake apo deri në kohen e etruskeve, dhe mjaftojnë disa lëkundje për të rrënuar historinë e ndërtimeve me gur.

“Ka shumë fenomene gjeologjike që po ndodhin në pjesë të veçanta të Europës”- tha Robert Sanders një gjeofizikant nga instituti amerikan i gjeologjisë. Përveç Italisë edhe Greqia është cilësuar si një zone me rrezikshmëri të larte sizmike, që pasojat në jetë njerëzish dhe dëme materiale mund të jenë fatale në rast tërmeti.

Por përveç magnitudës së lartë, janë një sërë faktorësh që sjellin këtë shkallë vdekjesh në Itali.

Infrastruktura e vendit ka të beje shumë. Kili është një nga shembujt tipike me ndërtesa shumë të larta, por me kode shumë të rrepta ndërtimi, që nëse goditet nga një termet 6.2 balle nuk do të shohim të njëjtën panoramë të dhimbshme si ajo në Itali.

Pjesa me e madhe e shtëpive të vjetra të  rajonit qendror të Italisë janë ndërtuar pa kolona përforcuese, dhe kjo beri që shumica e vdekjeve të ndodhnin pas rënies së çative.

Top Channel